Ditën e sotme është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur diplomati Ilir Shqina. Ai ishte ish-bashkëshorti i politikanes Grida Duma, me të cilën ka një djalë.
Lajmin e ka dhënë ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila e ka pasur bashkëpunëtor në atë kohë në atë ministri. Bregu shkruan se Ilir Shqina solli në Ministrinë e Integrimit Evropian, atë që mungon shpesh në administratë: korrektësinë, dinjitetin dhe maturinë si akt shërbimi publik. Ish-deputetja Duma dhe Ilir Shqina u ndanë vite më parë, teksa kanë dhe 1 fëmijë.
Postimi
Sapo mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të Ilir Shqina-s.
E kam njohur Ilirin kur të dy ishim pedagogë të rinj në Universitet, dhe më vonë pata fatin ta kem pranë si Këshilltar diplomatik në Ministrinë e Integrimit Europian, në vitet kur Shqipëria përballej me një nga fazat më të rëndësishme të procesit të anëtarësimit në BE.
Nuk kishim të njëjtat bindje politike, por Ilir solli në Ministrinë e Integrimit Evropian, atë që mungon shpesh në administratë: korrektësinë, dinjitetin dhe maturinë si akt shërbimi publik.
Ngushëllimet më të sinqerta për këtë dhimbje të parakohshme, familjes dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan.
U prehsh në paqe, Ilir!