The Weeknd u pa duke dalë nga një restorant xhamajkan me të dashurën e përfolur Simi Khadra në Miami gjatë fundjavës. Krijuesi i shumë hiteve kishte veshur një bluzë të zezë, pantallona të shkurtra të zeza dhe një palë shapka Yeezy.
Kurse 29-vjeçarja kishte veshur një fustan të shkurtër me figura shumëngjyrëshe dhe atlete të zeza. Kjo është një nga daljet shumë të rralla të çiftit bashkë.
Influencuesja prej muajsh përflitet për një lidhje me artistin teksa ka qenë mikeshë me disa prej ish-eve të tij si Selena Gomez dhe Bella Hadid. Në fillim të këtij viti të dy u panë duke u puthur teksa festonin ditëlindjen e kantautorit në Las Vegas.
The Weeknd, emri i të cilit është Abel Makkonen Tesfaye, ka qenë i lidhur me Simin prej disa kohësh. Thashethemet filluan të qarkullojnë se të dy ishin bashkë në prill 2021, dhe dyshja i hodhën benzinë zjarrit kur u panë duke u larguar së bashku nga një hotel në shkurt këtë vit.
Këngëtari i hitit ”Blinding Lights” në fillim të 2021 u tha se kishte nisur një romancë me aktoren Angelina Jolie. Ata u panë disa herë bashkë në dalje të ndryshme publike teksa The Weeknd publikoi një këngë ku fliste për një romancë me një “yll filmi” më 7 janar.