Eurovision ka fshirë nga faqja zyrtare foton e këngëtares Ronela Hajati gjatë performancës, dhe në rrjet menjëherë u aludua se arsyeja e këtij veprimi ishte se koreografia e saj është konsideruar shumë “provokative.”
Në lidhje me këtë lajm kanë folur dy nga artistët e ekipit shqiptar në “Eurovision”, stilisti Niko Komani dhe koreografja Klaudia Pepa.
Niko Komani, tha se performanca e Ronela Hajatit është pritur mirë në Itali ndërsa sa i përket “fotove provokuese”, ai tha se është bërë më e madhe seç është dhe se impakti me publikun atje është shumë i mirë.
“Unë mendoj se është bërë më e madhe seç është, por di të them që impakti këtej është shumë i mirë. I shikoj të gjithë njerëzit duke reaguar për këngën, për performancën, për foton… Dhe jemi të gjithë shumë me këmbë në tokë nga e gjithë dashuria që po marrim ”, tha stilisti për emisionin “Sot.”
Stilisti shtoi se kënga “Sekret” dëgjohet në klubet e natës në Torino, madje Ronela ka fansat e saj atje të cilët e mbështesin.
“Këtu po e shikojmë dhe live dhe për kaq kohë sa kemi këtu një është nga këngët që kemi dëgjuar më shumë si nëpër klube si nëpër bare. E ndalojnë Ronelën në rrugë për të bërë foto dhe për t’i dhënë mbështetje”, tha ai.
Nga ana tjetër, edhe Klaudia Pepa tregoi se kënga “Sekret” pëlqehet shumë, dhe konfirmoi se koreografia nuk do të ndryshohet.
“Dua të them që jam shumë e lumtur që jam pjesë e ekipit shqiptar. Kënga dhe Ronela si personazh pëlqehen shumë. Do doja shumë që koreografia të mbetet sekret, megjithatë do të jap disa detaje të vogla se si do të jetë. Jemi të lirshëm të japim mendimin tonë dhe ne nuk do të ndryshojmë asgjë. Do të japim mesazhet dhe idetë tona. Janë 4 djem, balerinë italianë dhe unë gjithashtu do të kërcej.”– tha koreografja.