Qartësisht, ne duhet të zhvillojmë virtytin e drejtësisë që të jemi mirënjohës kundrejt të tjerëve: pa të, ne do të jemi mosmirënjohës, arrogantë, mburracakë, lajkatarë dhe servilë.
Ai që ka shkaktuar një përfitim kundrejt cilitdo për shkaqe dashurie ose nderi, do të ndiejë dhimbje, nëse ai shikon se përfitimi është përvetësuar pa mirënjohje.
—Aristoteli
Shumë ankohen për mosmirënjohjen e njerëzve, sepse, si duket, shkakton një lloj dhimbje. Por shkaqet —se pse një njeri është mosmirënjohës— nuk kundrohen thuajse asnjë herë. Filozofët janë përpjekur për të treguar shkaqet.
Le të përpiqemi ta kuptojmë se nga buron mosmirënjohja dhe si të përballemi me të. Mosmirënjohja është e kundërta e mirënjohjes. Për ‘mirësinë’ njerëzit thonë se ajo shkruhet në rërë ndërsa ‘keqësia’ në gur. Ky pohim nënkupton se ‘mirësia’ harrohet ndërsa ‘keqësia’ mbahet mend. Por sërish nuk tregohen shkaqet. Arsyeja se pse ‘mirësia’ harrohet, është se ajo shkakton një lloj kënaqësie ndërsa ‘keqësia’ një lloj dhimbje dhe kjo e fundit e shenjon shpirtin më shumë se kënaqësia.
Sipas Aristotelit,mirënjohja është një mesatare që qendron mes veseve të arrogancës, mburracakërisë ose mosmirënjohjes lakmitare, në njërën anë, dhe lajkatarisë ose servilizmit të tejmirënjohjes, në anën tjetër. Por sërish, Aristoteli nuk e ndriçon mjaftueshëm dukurinë: sepse mirënjohja kalon nga aftësia jonë për të gjykuar drejtë tjetrin. Gjykimi, me radhë, shkakton ndjesinë përkatëse.