Ekzekutimi i Brilant Martinajt dy ditë më parë në Fushë-Krujë, ka trazuar edhe personazhet e showbizit shqiptar.
Pas reperëve Arkimed Lusha (Stresi) dhe (Feronit Shabani) i njohur si Fero, së fundmi ka reaguar edhe Serena Sula. Modelja e twerk-ut ka publikuar disa mesazhe që ka shkëmbyer me viktimën, teksa ka shprehur keqardhjen për humbjen e shokut të saj.
“Akoma s’më besohet kjo që ka ndodhur. Jam thjesht pa fjalë, tmerr. Ngushëllimet e mia nga zemra familjarëve të vet. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen për djalin tuaj të vetëm. Akoma s’më besohet se një shok si ti, një djalë i ri me të gjitha s’është më në këtë botë. Eh kështu e paska jeta ndonjëherë, qenka shumë e padrejtë. U prefshë në paqe e të ndritë shpirti,”-shkruan Serena.
22-vjeçari u ekzekutua në një atentat mesditën e së dielës (17 korrik) së bashku me miqtë e tij Besmir Hoxha dhe Diklen Vata. Ndaj makinës me të cilën lëviznin tre të rinjtë u qellua me breshëri kallashnikovi rreth 90 herë, duke bërë që mjeti të shpërthente në flakë.
Brenda mjetit u dogjën Martinaj dhe Hoxha, ndërkohë që Vata mundi të dalë nga makina, por që nuk u la i gjallë nga atentatorët të cilët u kthyen dhe e ekzekutuan.