Revista prestigjioze “Vogue” ka publikuar fotot nga dasma e Huma Abedin dhe Alex Soros, ku ndër të ftuarit e veçantë ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në një nga fotot e eventit shfaqet Rama, i ulur në tavolinë me disa të ftuar të tjerë specialë. Kryeministri shqiptar kishte veshur një kostum ngjyrë bezhë të çelur, këmishë të bardhë dhe një papjon vishnje.
Ceremonia u zhvillua më 14 qershor në rezidencën e çiftit në Water Mill, Nju Jork, në një atmosferë që kombinonte elemente tradicionale dhe moderne. Mes të ftuarve ishin gjithashtu Bill dhe Hillary Clinton, Kamala Harris, por edhe zyrtarë e politikanë të tjerë amerikanë.
Krahas fotos së kryeministrit shqiptar, revista shkruan edhe për dollinë që ngriti Rama, duke mos kursyer as batutat.

“Edi mbajti një nga dollitë më të mira të mbrëmjes… ajo përfshinte një shprehje rreth preferencës për vejushat e divorcuara. Duhej të ishe aty!”, shkruan “Vogue”.
Alex Soros, djali i filantropit George Soros, dhe Huma Abedin, këshilltarja e ngushtë e Hillary Clinton, kanë qenë në qendër të vëmendjes për lidhjen e tyre që prej vitit 2023.
Në vend të dhuratave per dasmën, çifti u kërkoi miqve mbështetjen për fondacionin “Vow for Girls”, i cili ndihmon vajzat në nevojë në mbarë botën.