Ronela Hajati ka realizuar sot një konferencë për shtyp në Turin ku ka folur rreth shumë gjërave me vetëbesim dhe natyrën e saj karizmatike.
Ajo që rrëmbeu më shumë vëmendje ishte veshja e këngëtares shqiptare e cila u shfaq me një fustan të bardhë të gjerë që i mbulonte gjithë trupin përveç duarve që i kishte lënë jashtë. Në pjesën e supeve fustani ishte voluminoz teksa Ronela mbante dorashka të bardha të shkurtëra. Sakaq, në kokë mbante një kapele, nëse mund ta quajmë të tillë shumë ekstravagante, të madhe dhe të qëndisur me gurë. Veshjen e saj ajo e shoqëroi me shumë aksesorë si varse, vathë, byzylykë.
E gjithë kjo duket se ka qenë një kundërpërgjigje ndaj Eurovision që fshiu fotot e saj nga Instagram duke e konsideruar si provokuese. E pyetur rreth veshjes nga gazetarët, Ronela tha:
“Përpiqem të jem sa më familjare kështu që i mbulova të gjitha pjesët e trupit. Nuk vendosa maskë sepse duhet të flasë por po përpiqem të mbuloj çdo gjë. Ky detaj i kokës është shumë i bukur dhe veshja është e lezetshme, kam dhe një shenjë nga buzëkuqi im këtu kështu që mos më filmoni.”
Këto kohë Ronela është bullizuar në rrjetet sociale lidhur me trupin e saj, gjë e cila nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen e gazetarëve.
“Të bullizosh njerëzit shkon përtej edukimit. Ka të bëjë me të qenit i ligë dhe njeri i vogël. Duhet të ndryshojnë, të shikojnë jetën e tyre dhe të jenë pozitivë sepse ne edhe kur bëjmë sikur nuk na intereson, sërish prekemi nga fjalët. Unë nuk jam këtu për tu gjykuar por për të kënduar. Nëse të pëlqen kënga dëgjoje, nëse jo fike. Kjo gjë duhet të marrë fund por kam frikë se nuk do ndodhë përsa kohë kemi mundësi të shkruajmë çdo gjë pas telefonave tanë. Çdo njeri është i bukur dhe duhet ta shoh bukurinë e vërtetë në pasqyrë jo tek ajo që thonë të tjerët.”- u shpreh ajo kur u pyet për komentet online.
Sakaq, Ronela ka realizuar sot provat e para në skenë disa sekonda prej të cilave janë publikuar edhe në rrjetet sociale. Megjithatë Ronela u shpreh se kanë ndodhur disa gabime por do rregullohen.
“Performanca e sotme ishte plot me gabime dhe jo prej shkakut tim. Por, ka gjëra që do i rregullojmë se ndaj bëjmë prova dhe do bëjmë më të mirën.”
E pyetur se nëse do takonte Ronelën në një moshë më të re çfarë do t’i thoshte, këngëtarja tha: “Të lutem mos qaj. Çdo gjë do rregullohet. Do jesh një pop-star dhe do bësh para. Akoma nuk kam para por gjithsesi. Provo që njerëzit të të duan. Këtë kam bërë që në fëmijëri. Kam provuar gjithnjë që njerëzit të shohin si jam në brendësi dhe të më duan sepse e meritoj. Do i them mos të shqetësohet se është beqare”.
Ku e merr Ronela frymëzimin për tu veshur?
“Së pari e marrë nga Niko sepse ai e di çfarë më përshtatet. Pastaj, revista, Instagram etj. Në jetën e përditshme jam shumë e thjeshtë me atlete dhe pa makeup. Por në dalje publike ndryshoj. Sepse duhet të respektoj audiencën. Kemi një shprehje në shqip që thotë se veshja i përshtatet vendit ku je. Dhe unë po respektoj vendin ku jam sot.”
Artistja u ndal edhe te planet e të ardhmes pas mbarimit të Eurovision duke thënë:
“Nuk e di po shpresoj më të mirën dhe arsyeja kryesore që ëndërrova për Eurovision ishte për të arritur ëndrra të mëdha që ka çdo artist. Eurovision është festivali i lirisë, bukurisë, mund të shprehësh veten dhe të bësh show. Është festivali më i madh i muzikës. Në Shqipëri ne kemi nevojë për skena të tilla. Kur fitova Eurovisionin… më falni(qesh) festivalin e Këngës në Shqipëri po mendoja çfarë do të bëj. Si të jap më të mirën. Ndaj nuk më pëlqejnë gjërat që bëj sepse dua të jap më të mirën. Nuk e di nëse shqiptarët ndihet të prezantuar mirë nga një vajzë që vesh kapele në 10 të mëngjesit por jam duke u përpjekur të bëj më të mirën. Kam një skuadër perfekte. Dhe nëse një shtëpi regjistrimi e mirë është e interesuar të më kontaktojë, faleminderit!”