Një pushim që pritej të ishte plot adrenalinë përfundoi në tragjedi për Tijana Radonjic, një vajzë 19-vjeçare nga Serbia, e cila humbi jetën në bregdetin e Budvës. Ajo ra nga një lartësi prej mbi 50 metrash gjatë një fluturimi me parashutë mbi Detin Adriatik.
Pamje të rënda që po qarkullojnë në rrjet tregojnë momentet e fundit të vajzës, e cila, mes panikut, dëgjohet duke thirrur “më ulni poshtë” ndërsa përpiqet të lirohet nga rripat e sigurisë dhe jeleku i shpëtimit. Trupi i saj u gjet më vonë nga ekipet e shpëtimit në ujë.
Dyshohet se Radonjic mund të ketë pësuar një sulm paniku në ajër, çka mund ta ketë shtyrë të ndërmarrë veprimin fatal, por kjo mbetet ende në hetim. Ajo kishte pranuar të ngjitej në parashutë pas një oferte falas nga një përfaqësues i kompanisë që ofronte këtë shërbim në plazh.
Pronari i kompanisë, Mirko Krdzic, u shpreh për mediat lokale se e reja “nuk kishte dhënë asnjë shenjë frike” para nisjes. Autoritetet po zhvillojnë hetime të thelluara, përfshirë ekspertizën teknike të pajisjeve dhe rezultatet e autopsisë, për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.