Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë pasdite në plazhin e Sektorit Rinia në Durrës, ku një pushues i ri ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, burri ishte në det kur papritur është parë në vështirësi. Me mungesën e vrojtuesve të plazhit, ka qenë vetëm reagimi i disa pushuesve të tjerë që u përpoqën ta ndihmonin, por fatkeqësisht pa sukses.
Trupi i pajetë u nxor nga uji nga vetë pushuesit, ndërsa autoritetet policore mbërritën më vonë në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin e viktimës, i cili sipas informacioneve paraprake është në moshë të re.
Ende nuk është e qartë nëse shkaku i vdekjes ka qenë mbytja apo një problem shëndetësor i menjëhershëm, siç mund të jetë një atak kardiak. Askush nga të pranishmit nuk e ka njohur viktimën në momentin e parë, duke e bërë edhe më të vështirë procesin e identifikimit.