Tërmetet rikthehen në Turqi, duke shkaktuar frikë dhe pasiguri te qytetarët. Sot në mëngjes, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.2 ballë goditi brigjet e rrethit Silivri të Stambollit, sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD). Lëkundjet, të cilat u regjistruan në një thellësi prej 6.92 kilometrash, u ndjenë gjerësisht në gjithë Stambollin dhe zonat përreth.
Vetëm pak kohë para goditjes kryesore, rajoni ishte tronditur nga një tërmet më i vogël – 3.9 ballë sipas AFAD dhe 4.0 sipas Observatorit Kandilli – duke shtuar edhe më shumë ankthin mes qytetarëve.
Pas tërmetit, mijëra banorë kanë braktisur shtëpitë, zyrat dhe ndërtesat e tyre për të qëndruar në ambiente të hapura, si parqe apo sheshe publike. Pamje nga mediat vendase tregojnë qytetarë të shqetësuar, disa me lot në sy, që përpiqen të kontaktojnë të afërmit dhe të marrin informacion mbi situatën.
Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar, por autoritetet kanë hyrë në gatishmëri të lartë dhe vijojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet. Stambolli, një qytet me mbi 15 milionë banorë, ndodhet pranë një prej zonave më aktive sizmike në Turqi dhe historikisht ka qenë i ekspozuar ndaj tërmeteve të fuqishme.