CEO i Open AI, Sam Altman mohoi akuzat nga motra e tij Annie Altman, e cila ka paraqitur një ankesë duke e akuzuar atë për abuzim seksual në fëmijëri. “Annie ka bërë pretendime thellësisht lënduese dhe krejtësisht të pavërteta për familjen tonë, veçanërisht Sam”-tha shefi i startup-it në Kaliforni në një letër të bashkë-nënshkruar nga nëna dhe dy vëllezërit e tij dhe të publikuar në platformën sociale X. “Familja jonë e do Annie-n dhe është shumë e shqetësuar për mirëqenien e saj. Kujdesi për një pjesëtar të familjes që përballet me sfida të shëndetit mendor është tepër i vështirë.”
Altman fitoi famë globale me lançimin e ChatGPT në vitin 2022, i cili ndezi një garë për të avancuar kërkimin dhe zhvillimin e AI. Familja Altman tha se janë përpjekur të ndihmojnë vajzën dhe motrën e tyre, duke i mbuluar shpenzimet dhe duke i garantuar mbështetjen financiare mujore. “Pavarësisht kësaj, Annie vazhdon të kërkojë më shumë para nga ne”-thanë ata, duke theksuar se kanë vendosur të përgjigjen publikisht pas ankesës ligjore të Anne-së të paraqitur të hënën dhe pas vitesh tensioni.
“Akuza më e keqe që ajo ka bërë është se ajo është abuzuar seksualisht nga Sam kur ishte fëmijë”-tha familja. “Pretendimet e saj kanë evoluar në mënyrë drastike me kalimin e kohës. Së fundmi për këtë padi, ato tani përfshijnë akuza për incidente ku Sam ishte mbi 18 vjeç. “Të gjitha këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta.”
Sipas ankesës, Annie e cila është nëntë vjet më e re se Sam Altman pretendon se sulmet kanë ndodhur nga viti 1997, kur ajo ishte tre vjeçe, deri në vitin 2006. Në një raport për New York Magazine në vitin 2023, një gazetare që takoi Annie-n në Hawaii e përshkroi atë si një artiste që vuante nga depresioni dhe përçarja në rritje me familjen e saj dhe që e mbante veten kryesisht përmes punës së seksit në internet.
Ndërkaq, OpenAI po rinovon modelin e tij të biznesit për të tërhequr më shumë investitorë. Ky ristrukturim supozohet se mund të rezultojë në një përfitim të konsiderueshëm financiar për CEO-n Sam Altman. OpenAI, e mbështetur nga Microsoft Corp. planifikon të kalojë nga kontrolli nga një bord jofitimprurës në një strukturë të re.
Ky ndryshim synon ta bëjë kompaninë më tërheqëse për investitorët e jashtëm. Burime të njohura me këtë çështje i thanë Reuters se organizata aktuale jofitimprurëse do të mbajë një pakicë të aksioneve në njësinë e re fitimprurëse. Kjo lëvizje mund të hapë rrugën për një ofertë publike fillestare (IPO) në të ardhmen. Kompania, e lançuar fillimisht si një organizatë jofitimprurëse në 2015, aktualisht po shikon një vlerësim prej 150 miliardë dollarësh.