Ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar në Itali për trafik droge. Mësohet se ai nuk ishte i vetëm. Kur u kap me 20 kg kokainë në zonën e San Benedetto del Tronto ishte së bashku me nipin e tij. Dajë e nip, njëri banues në Itali dhe tjetri në Shqipëri akuzohen për trafikimin e lëndëve narkotike.
Arrestimi u bë me 27 maj 2022 dhe nëse kokaina që u kap nga policia italiane do të hidhej në treg, do të kapte vlerën rreth 1 milion euro. Lënda narkotike ishte fshehur brenda vazove të bimëve që kishte blerë Kajmaku, klient prej kohësh në një fidanishte të njohur nga Grottamare. Karabinierët vunë re një furgon aty pranë dhe identifikuan dy shqiptarë, të cilët i ndoqën.
Kajmaku, së bashku me nipin e tij, kishin mbërritur në shtëpi me një makinë Volksëagen Polo, të punësuar, së bashku me familjarët, gjithsej katër persona.
Karabinierët kontrolluan shtëpitë e tyre në Ascoli por nuk gjetën asnjë gjurmë droge. Dajë e nip kishin blerë bimët e vogla në fidanishte por vendosën që të bënin ndryshim dhe t’i vendosnin në vazo më të mëdha që i blenë në një biznes lokal në mënyrë që të fshihnin drogën brenda. Para se të bëhej ndryshimi, pronari i fidanishtes pa lëvizje të çuditshme dhe njoftoi menjëherë karabinierët. Kështu u bë i mundur arrestimi i Kajmakut dhe nipit të tij, por ende nuk dihet destinacioni i kokainës.
Kujtojmë se Kajmaku, para se të bëhej kryebashkiak i Vorës, merrej me biznesin e fidanëve, farërave dhe plehrave, me firmën e tij që quhej “Kajmaku shpk” e ku merrej me “prodhim, shitje, tregim shumë e pakicë farash, fidanëve, pemëve frutore e dekorative, etj., punim i sipërfaqeve të gjelbërta, parqe, dekore urbane…”.
Operacioni vijon dhe Italia ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Policisë Shqiptare.