Gramoz ALiu ose ndryshe i njohur me emrin e artit Mozzik ka reaguar në lidhje me një rast tragjik që ka tronditur atë dhe familjen e tij.
Daja i reperit Burim Hetemi, ka ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ku dyshohet të ketë kryer vetëvrasje.
Por Mozzik beson të kundërtën dhe nëpërmjet një postimi në rrjetet e tij sociale shprehet se ai dhe familja e tij do të kërkojnë drejtësinë për institucionet përgjegjëse.
Reagimi i Mozzik:
“Vdekje në duar të shtetit!
Me datë 13 të këtij muaji rreth orës 12:40, daja im Burim Hetemi – tashmë i ndjerë, në dhomat e qendrës së paraburgimit të Gjilanit, gjeti vdekjen. Rasti tashmë po dyshohet si vetëvrasje.
Arsyeja pse i ndjeri ndodhej në këtë qendër ishte “Dhuna në familje”, e si shkak i veprimit të tillë, kanë qenë problemet e gjendjes mendore me të cilat është ballafaquar – për çfarë është trajtuar në institucionin përkatës të shëndetit mendorë. I ndjeri ka qenë gjithashtu i varur nga substancat narkotike (heroinë) shumë vite më parë dhe ka qenë në trajtim të vazhdueshëm psiko-terapeutik.
Të gjithë këto fakte qenë të njohura për institucionet e shtetit me rastin e mbylljes së tij në paraburgim, ndërsa për familjen ngriten shumë pikëpyetje se si mund të ndodhë një akt i tillë në duar të shtetit?!
- Si është e mundur të lihet ashtu krejtësisht i vetëm një person i ndaluar për “Dhunë në familje”, për të cilin mirëfilli dihet gjendja mendore e tij?
- Si është e mundur të lihet vetëm një person për të cilin organet e Policisë kanë pasur në posedim të gjithë dokumentacionin përkatës të trajtimit të tij mendor?
- Me çfarë mjeti ka kryer vetëvrasjen dhe pse nuk janë marrë masat preventive për t’i pamundësuar një veprim të tillë?
- Ku ishin zyrtarët kompetent, në kohën e kryerjes së aktit?
- Edhe sa raste të pakujdesisë e neglizhencës së shtetit për shkak të të cilave humbin jetë duket të ndodhin që të mbushemi mend?
Për zgjidhjen e të gjithë këtyre dilemave që kemi si familje dhe në mënyrë që rasti të merr epilogun e merituar, ashtu që të mos përsëritet në të ardhmen – ne do të angazhojmë zyrën e avokatëve Koci & Vokshi, që të bëjë përfaqësimin ligjor të familjes tonë lidhur me rastin.
U prehsh në paqe i dashur Dajë, e unë të premtoj se do të luftoj që rastet si ky i yti të mos përsëriten më”, ka shkruar Mozzik.