Elvana Gjata, ka ndarë një mesazh të ngrohtë me ndjekësit e saj në Instagram pas përfundimit të Festivalit të Këngës në RTSH, ku ajo arriti deri në finale.
Në mesazhin e saj, Elvana falënderon fansat për dashurinë, votat dhe mesazhet e shumta që ka marrë gjatë FIK63. Ajo shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen që ka marrë dhe premton t’ua kthejë këtë dashuri dhjetëfish përmes muzikës së saj.
“Kurrë nuk ndalem së uruar më të mirën për vendin tim dhe për këdo që e përfaqëson atë në skenat ndërkombëtare,” shkruan ajo, duke i uruar një përvojë të shkëlqyer grupit Shkodra Elektronik, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025.
Elvana gjithashtu thekson rëndësinë e një diskutimi të shëndetshëm rreth artit, duke mirëpritur kritikat konstruktive që ndihmojnë për t’u përmirësuar. Megjithatë, ajo apelon për shmangien e gjuhës së urrejtjes, duke theksuar se “urrejtja nuk ka vend në muzikë apo kudo tjetër.”