Rrjeti social i komunikimit WhatsApp mund të ndalohet së funksionuari në Mbretërinë e Bashkuar. Paralajmërimi është dhënë nga kreu i këtij aplikacioni, Will Cathcart.
Ai thotë se shkak për këtë mund të bëhet projektligji i autoriteteve britanike për sigurinë në internet. E konkretisht është fjala për modalitetin “end to end” për bisedat e enkriptuara, të cilën e aplikon WhatsApp dhe që ka të bëjë me përmbajtjen e mesazheve.
Ky modalitet nënkupton se mesazhet i shikojnë vetëm bashkëbiseduesit, madje edhe vetë rrjeti social nuk ka akses në këto biseda për shkak të funksionalitetit të enkriptuar.
Por autoritetet britanike po shqyrtojnë mundësinë që në Mbretërinë e Bashkuar enkriptimi i bisedave të mos lejohet në asnjë aplikacion për shkak se mund të ketë përmbajtje të paligjshme të cilat duhet të kalojnë në filtrin e autoriteteve.
Nëse qeveria britanike e detyron rrjetin social që ta heqë këtë modalitet, atëherë ËhatsApp do të shqyrtojë mundësinë që të mos ofrojë shërbimin në Mbretërinë e Bashkuar pasi nuk pranon këtë kusht.
WhatsApp mbron politikën e vet për bisedat e enkriptuara duke argumentuar se është e drejtë e përdoruesve që të kenë komunikim privat, të bisedojnë lirshëm dhe të mos jenë “nën skaner”.