Një ngjarje e rëndë u raportua mëngjesin e ditës së sotme në Fier, ku u gjet i vrarë në fshatin Mbrostar Ura në Fier, shtetasi Petraq Gjika, i cili punonte si roje pranë serave të mbjella me kastravec.
Trupi i 67-vjeçarit u konstatua nga banorët e zonës, me zbardhjen e ditës së sotme, të cilët bënë të mundur dhe njoftimin e policisë.
Burime bëjnë me dije se Gjika ka marrë disa plagë me thikë, ndërkohë që të gjitha dyshimet e deritanishme janë që autor i ngjarjes të jetë vetëm një person, i cili është larguar me këmbë nga zona.
Vëllai i Petraqit, Vasil Gjika mban dhe detyrën e kryeplakut të fshatit Gracali, ndërkohë që familja ende nuk ka folur për ndonjë konflikt që mund të ketë sjellë ngjarjen e sotme. Më herët, rreth 4 vite më parë, Gjika i shpëtoi një tjetër sulmi me thikë, ku mbeti i plagosur rëndë.
Për ngjarjen policia asokohe arrestoi shtetasin Xhevat Bregu, ndërsa raportoi se konflikti kishte ndodhur për motive të dobëta.
Sa i takon ngjarjes së sotme, ajo mbetet ende pa motiv, ndërkohë që policia po grumbullon të gjitha provat në vendin e ngjarjes, në mënyrë që të krijojë edhe një identikit të autorit.
Pranë vendit të ngjarjes kanë mbërritur dhe familjarë të Gjikës, të cilët pritettë merren në pyetje dhe nga policia, nëse viktima ka pasur ndonjë konflikt që të ketë çuar në këtë krim të rëndë.
Serat janë të pajisura me kamera sigurie, të cilat pritet që të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen e rendë.