Të paktën 20 persona kanë humbur jetën pas një tërmeti të fortë që goditi Afganistanin verior në orët e para të mëngjesit të së hënës. Autoritetet lokale paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet ndërsa vijojnë operacionet e shpëtimit.
Sipas zyrtarëve lokalë, 320 të tjerë mbetën të plagosur nga lëkundjet e forta që tronditën zonën pranë qytetit Mazar-e-Sharif, një nga qytetet më të mëdha të vendit me rreth 500 mijë banorë.
Tërmeti me magnitudë 6.3 u regjistrua rreth orës 01:00 sipas orës lokale, me një thellësi prej 28 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara. Institucioni e vlerësoi ngjarjen me nivel alarmi “portokalli”, që nënkupton se ka gjasa për viktima të shumta dhe dëme të konsiderueshme materiale. Rajoni u godit nga të paktën pesë lëkundje pasuese, më i forti me magnitudë 5.2 ballë në orët pas tërmetit fillestar, sipas USGS.
Autoritetet provinciale thanë se shifrat pritet të ndryshojnë, pasi ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet në zonat më të prekura nga tërmeti.
Në gusht, të paktën 2,200 persona u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën pasi një tërmet me magnitudë 6.0 ballë shkaktoi dëme të mëdha përgjatë një zone malore të provincave në Afganistanin lindor.
Në tetor 2023, një tjetër tërmet me magnitudë 6.3 ballë ndodhi në Afganistanin perëndimor, duke vrarë më shumë se 2,000 njerëz.



