Porti i Peshkimit
Porti i peshkimit i ndërtuar ngjitur me portin detar të Durrësit, është i mbështetur pjesërisht në muret dallgëthyese të pjesës perëndimore të tij.Aty do te shifni floten e anijeve te peshkimit dhe pejsazhin e bukur.
Sheshi Iliria
Sheshi kryesor i qytetit, u rivitalizua në 2015-n, me pllaka të bardha prej mermeri vezullues, palma arabe e shatërvanë modernë, që të sjellin në mend qytete ekzotike ndërkombëtare.
Shetitorja Vollga
E kush është ai person që ka ardhur të paktën njëherë në Durrës, e nuk ka shijuar shëtitoren e famshme “Taulantia”, të njohur ndryshe si “Vollga”. Shëtitorja ku gjithë durrsakët e turistët freskohen masivisht e thithin jodin e detit Adriatik.
Vila mbreterore e Zogut
E ndërtuar në vitin 1927, kjo vilë ishte një dhuratë personale për Mbretin Zog I, nga komuniteti i biznesit të Durrësit ne shenjë respekti dhe nderimi. Ndërtuar në formën e një shqiponje, ajo u ngrit në pikën më të lartë të qytetit të Durrësit. Ajo është shumë e famshme për mermerin e saj dhe sallonin madhështor. Edhe pse tepër e dëmtuar gjatë trazirave të 1997, ajo mbetet një simbol i trashëgimisë së qytetit të Durrësit.
Torra Veneciane
Është një ndërtim i ngritur mbase mbi një kullë më të vjetër. Koha e ndërtimit dhe teknika e përdorur është tipike veneciane e shekullit XV, kohë në të cilën venedikasit qeverisnin qytetin. Diametri i saj është 16 metra dhe lartësia 9.10 metra. Ajo përbëhet nga një kat i vetëm, i cili është i pajisur me pesë frengji topash. Një shkallare ju çon lart në tarracën me bedena. Këtu është ndërtuar një lokal i këndshëm nga ku mund të sodisni fare qetësisht detin dhe të gjithë atmosferën e vjetër që ju rrethon.