Plazhet në Guardamar del Segura, në jug të provincës Alicante në Spanjë, u mbyllën përkohësisht të mërkurën, më 20 gusht, pasi në ujëra u gjetën dy ekzemplarë të rrallë të krijesës detare Glaucus atlanticus, e njohur ndryshe si “Dragoi Blu”.
Kryebashkiaku José Luis Sáez bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin X se noti u ndalua në plazhin Vivers, ndërsa paralajmëroi qytetarët të shmangnin çdo kontakt me krijesat detare, të cilat janë të vogla në përmasa, rreth katër centimetra, por shumë helmuese.
Dragoi Blu është një grabitqar detar me tentakula që përmbajnë qeliza pickuese të forta, të cilat mund të shkaktojnë djegie të dhimbshme në lëkurë, të përziera, dhimbje dhe të vjella te njerëzit.
Autoritetet vendase këshilluan pushuesit të mos i prekin, madje as me doreza, dhe të lajmërojnë menjëherë rojet bregdetare në rast kontakti.
Pas një operacioni mbikëqyrjeje dhe pastrimi, më 21 gusht flamuri i kuq u zëvendësua me flamurin e verdhë, çka do të thotë se noti është i lejuar, por me kujdes të shtuar.
Policia lokale dhe shërbimet komunale do të vijojnë monitorimin e vijës bregdetare, ndërsa vizitorëve u bëhet thirrje të respektojnë udhëzimet dhe të tregojnë kujdes maksimal.